Lideri Suprem i Revolucionit Islamik: Ekonomia çështje prioritare e vendit
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei deklaroi se çështjet ekonomike janë përparësia kryesore e vendit, duke u bërë thirrje zyrtarëve iranianë të bëjnë përpjekje të palodhura për të zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit, përfshi papunësinë midis të rinjve.
Ajetollah Khamenei i bëri këto deklarata në një takim me presidentin iranian Hasan Ruhani dhe anëtarët e administratës së tij në Teheran të shtunën me rastin e Javës së Qeverisë. "Ekonomia duhet të jetë përparësia kryesore e të gjithë anëtarëve dhe sektorëve të qeverisë", tha Lideri Suprem i Revolucionit Islamik dhe theksoi rolet e rëndësishme që luajnë në ekonomi çështjet që kanë të bëjnë me bankat, investimet, rritjen e likuiditetit dhe kontrabandën. Ajetollah Khamenei ka rekomanduar që presidenti dhe anëtarët e kabinetit të tij t'i shërbejnë popullit iranian dhe të krijojnë lidhje të ngushta me popullin "për të arritur një kuptim më të mirë të realitetit të jetës së njerëzve". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik deklaroi se zyrtarët iranianë duhet të praktikojnë durimin përballë vërejtjeve kritike dhe të tregojnë guxim në marrjen e vendimeve dhe për t'i zbatuar ato, duke theksuar rëndësinë e krijimit të planeve shkencore të sakta. Ajetollah Khamenei më tej deklaroi se Revolucioni Islamik duhet të jetë një burim krenarie në çështjet diplomatike, dhe shtoi: "Duhet të ndjehemi dinjitozë në përputhje me normat kombëtare, domethënë normat që rrjedhin nga revolucioni islamik si rezistenca kundër fuqive arrogante, lufta kundër shtypjes dhe padrejtësisë si dhe kundërshtimi ndaj sistemit hegjemonist ". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik tha se diplomacia e jashtme e Iranit duhet të jetë e hapur për të gjithë në botë dhe nuk duhet të fokusohet në marrëdhëniet me vetëm disa vende. Ajatollah Khamenei u bëri thirrje zyrtarëve iranianë të veprojnë me shpejtësi dhe mençuri në diplomacinë e jashtme dhe të vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm përballë politikave armiqësore. Nga ana e tij, Presidenti Ruhani paraqiti një raport mbi masat e ndërmarra nga administrata e tij gjatë mandatit të tij të mëparshëm dhe gjithashtu mbi planet e administratës së re. Ruhani tha se papunësia dhe çështjet ekonomike janë problemet më të rëndësishme të qeverisë, duke u zotuar të krijojë më shumë se 900,000 mundësi punësimi çdo vit. Ai gjithashtu përmendi luftën kundër varfërisë dhe realizimin e drejtësisë shoqërore si objektiva të tjera të administratës së tij të re.