Khamenei: Krijimi i shoqërisë islame ka nevojë për një luftë të vazhdueshme
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei, deklaroi se vendosja e normave revolucionare dhe krijimi i një shoqërie islame kanë nevojë për një luftë të vazhdueshme.
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik i bëri këto deklarata në një takim të zhvilluar të hënën me studentët e qendrave teologjike të Provincës së Teheranit. Duke iu referuar përpjekjeve "të dështuara" të bëra nga disa pseudo-intelektualë dhe shkrimtarë për të provuar se Revolucioni Islamik ka arritur fundin e tij, Ajetollah Khamenei tha: "Çdo revolucion largon normat e së kaluarës dhe fut normat e reja dhe ruajtja e këtyre normave të reja është e nevojshme për vazhdimin e Revolucionit Islamik ". Në vazhdim, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik theksoi se “ekzistojnë njerëz të caktuar që u përpoqën të bllokonin rrugën e revolucionit dhe po veprojnë sërish kundër normave revolucionare ", por “ashtu si duhej lufta që të arrihej fitorja e revolucionit, edhe vendosja e normave revolucionare dhe krijimi i një shoqërie islame kanë nevojë për një luftë të vazhdueshme”. Duke iu referuar fazave të ndryshme të ndërtimit të një civilizimi, Ajetollah Khamenei tha: "Pushteti islamik u krijua në bazë të një lëvizjeje revolucionare dhe çoi në këto arritje kaq të rëndësishme”. "Megjithatë, mbetet shumë rrugë për të shkuar para se të arrihet pika e dëshiruar dhe krijimi i një qeverie islame dhe një shoqërie islamike dhe ne padyshim jemi duke lëvizur dhe duke bërë përparim në këtë rrugë," tha Lideri Suprem. Ajetollah Khamenei theksoi më tej se brezat e rinj "kanë nevojë të madhe për ide të reja dhe Islami ka ide të reja dhe tërheqëse në fushat e humanizmit, shoqërisë dhe politikës". “Shumë njerëz në botë me siguri do të përqafojnë idetë e Islamit nëse ata do të bëhen të vetëdijshëm për to”, tha Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Ajetollah Khamenei shtoi se aktualisht ekziston një zbrazëti intelektuale që rrjedh nga një ndjenjë frustrimi e shkaktuar nga dështimi i ideologjive marksiste dhe liberale, çka ka përgatitur terrenin për pranimin e ideve të reja që përbëjnë mënyrën islamike të të menduarit.