Irani: Lufta me ISIS-in ndryshon nga vrasja e njerëzve të pafajshëm
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të RII z. Behram Kasemi ka kritikuar veprimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të imponuar një bllokadë ajrore mbi autobusët që transportojnë gra dhe fëmijë si pjesë e një marrëveshje ndërmjet lëvizjes së rezistencës libaneze të Hezbollahut dhe terroristëve të ISIS-it.
"Vendimi i SHBA për të vendosur një rrethim ndaj grave dhe fëmijëve duket të jetë i palogjikshëm duke pasur parasysh historinë e bashkëpunimit të Amerikës me grupin terrorist ISIS" tha z. Behram Kasemi të dielën. "Irani beson se kjo është një përpjekje për të ndikuar negativisht në fitoren e qeverisë libaneze dhe të lëvizjes së rezistencës Hezbollah mbi terroristët e ISIS”, shtoi ai. Ekziston një "ndryshim thelbësor" midis luftimit të terroristëve të armatosur të ISIS dhe vrasjes së njerëzve të pafajshëm, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të RII. z. Kasemi tha se bllokimi i një numri të grave dhe fëmijëve në shkretëtirë nga SHBA nuk ka asnjë vlerë ushtarake dhe nuk do të zvogëlojë fuqinë e terroristëve të ISIS, por do të ushqejë më shumë dhunë në rajon. "Rrethimi ajror kundër grave dhe fëmijëve në autobusët civilë dhe vdekja e disa grave shtatzëna gjatë dy ditëve të fundit mund të shndërrohet në një katastrofë humanitare nëse vazhdon," tha Kasemi. Ai theksoi se ISIS ishte afër një kolapsi të plotë për shkak të bashkëpunimit midis qeverive iraniane, siriane, libaneze dhe irakiane dhe ushtrive të tyre, duke shtuar se lufta kundër grupit terrorist është në vazhdim për të çrrënjosur terrorizmin në Siri dhe Irak. Zëdhënësi iranian gjithashtu mirëpriti dhe shprehu mbështetjen e Teheranit për përpjekjet humanitare të qeverisë libaneze dhe Hezbollahut për të shpëtuar civilët e pafajshëm, duke thënë se ky veprim e shtoi edhe më shumë madhështinë e fitores ushtarake të Libanit. "Republika Islamike e Iranit, si një vend që është në ballë të luftës kundër terrorizmit, i kërkon Kombeve të Bashkuara të ndërhyjnë në këtë çështje dhe të parandalojnë vrasjen e njerëzve të pafajshëm", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të RII. Qeveria siriane më 27 gusht ra dakord për një marrëveshje midis Hezbollahut dhe terroristëve të ISIS, e cila lejoi transferimin e terroristëve dhe familjeve të tyre nga rajoni strategjik dhe malor i Kalamunit, afër kufirit me Libanin, në Sirinë lindore. Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar shumicën e 17 autobusëve të konvojit në shkretëtirën siriane duke shkatërruar rrugën për në Deir al-Zur.