Paralajmërimi i Zarif kundër daljes së SHBA nga marrëveshja bërthamore
Ministri i jashtëm i RII z. Mohamed Xhevad Zarif ka thënë se Presidenti i SHBA, Donald Trump "do të hapte kutinë e Pandorës" nëse përpiqet të rinegociojë kushtet e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.
Gjatë një interviste të publikuar nga Associated Press të mërkurën, Zarif theksoi se mundësia e rinegocimit të Planit të Përbashkët të Veprimit është një "mit". Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia dhe Kina - plus Gjermania nënshkruan marrëveshjen bërthamore më 14 korrik 2015, ndërsa zbatimi i saj filloi më 16 janar 2016. Që kur Trump mori detyrën e presidentit të SHBA, administrata amerikane ka nisur sulmet kundër marrëveshjes bërthamore, duke kërcënuar në shumë raste se do të braktisë marrëveshjen. Zarif deklaroi se nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja, Teherani nuk është më i lidhur me atë marrëveshje, duke shtuar, ne do të "vendosim se si duam të merremi me të". "Kjo nuk do të thotë se Irani dëshiron të ndjekë opsionin e armëve bërthamore", theksoi Zarif. "Por ajo që është e rëndësishme është se nëse marrëveshja do të shkelet, atëherë Irani ka shumë opsione, njëra prej të cilave do të ishte të kishte një program i pakufizuar por paqësor i energjisë bërthamore".