Ligjvënësit amerikanë kërkojnë vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes bërthamore
Dy ligjvënës kryesorë të Kongresit amerikan theksuan se Uashingtoni duhet të punojë me aleatët që të zbatojnë në mënyrë rigoroze marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe jo të largohen nga marrëveshja ndërkombëtare.
"Megjithëse marrëveshja është me të meta, unë besoj se tani duhet ta zbatojmë atë me rigorozitet", tha Ed Royce, kryetari republikan i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në një seancë dëgjimore të së mërkurës. Marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit, u arrit në vitin 2015 midis Iranit dhe grupit G5 + 1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe, plus Gjermania). Royce, ashtu si çdo republikan tjetër në Kongresin e SHBA, kundërshtoi marrëveshjen bërthamore të arritur gjatë administratës së ish-Presidentit Barak Obama. Por disa nga demokratët e Obamës gjithashtu e kundërshtuan marrëveshjen, duke përfshirë përfaqësuesin Eliot Engel, anëtarin e dytë më të lartë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Sot, Engel tha se vrasja e marrëveshjes do të ishte një "gabim i rëndë", pasi ajo është mbështetur nga aleatët e SHBA dhe fuqitë e tjera. "Ne duhet të punojmë me aleatët dhe partnerët në një axhendë të përbashkët që e mban regjimin në Iran të përgjegjshëm, duke mos ndarë Amerikën nga miqtë tanë më të ngushtë anembanë globit", tha Eliot Engel.