Irani: Politikat e Trump do të përkeqësojnë situatën në Lindjen e Mesme
Irani ka paralajmëruar se politikat e ndjekura nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump mund të përkeqësojnë konfliktet e tanishme në Lindjen e Mesme.
Zv/presidenti i parë i Iranit z. Is’hak Xhahangiri duke folur në samitin të vendeve të grupit D-8 në Stamboll deklaroi se bota duhej të ishte veçanërisht e vetëdijshme për pasojat e asaj që ai e përshkroi si "aspiratat ekspansioniste dhe ekstremiste" të Amerikës dhe Izraelit për stabilitetin e rajonit. Xhahangiri tha se unilateralizmi dhe racizmi i shprehur në pikëpamjet e liderëve të caktuar i përkasin të kaluarës, ndërsa bota tashmë jeton në epokën e demokracisë, multikulturalizmit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore. Zv/presidenti i parë i Iranit tha se Irani mbështet fuqishëm dialogun si zgjidhjen më të mirë të problemeve të shumta me të cilat bota po përballet, duke shtuar se duhet të promovohen ndërveprimet midis të gjitha kombeve për të zgjidhur tensionet në bazë të interesave të përbashkëta si dhe parimi i fitimit të ndërsjellë. "Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që politikat ushtarake dhe të dhunshme të zëvendësojnë zgjidhjet e bazuara në dialog", shtoi zyrtari i lartë iranian, duke paralajmëruar se këto politika mund t'i ballafaqojnë njerëzit që jetojnë në vendet myslimane me rrezikun e "vdekjes dhe shkatërrimit". Zv/presidenti i parë i Iranit më tej theksoi se pasuesit e të gjitha besimeve duhet të qëndrojnë kundër çdo forme terrorizmi dhe dhune, duke shtuar se një luftë kundër mentaliteteve që ushqejnë grupet terroriste si ISIS është e domosdoshme. Bota, tha ai, duhet të qëndrojë e bashkuar për të parandaluar që këto mentalitete të përhapin dhunë, radikalizëm, luftë dhe mosmarrëveshje në botën myslimane. "Ekstremizmi, dhuna dhe terrorizmi kudo dhe me çdo emër janë të rrezikshme dhe madje edhe më të rrezikshme nëse paraqiten në emër të fesë, etnisë dhe kombësisë. Jemi të nderuar që jemi paraqitur me një fe, një kulturë dhe një qytetërim që nxit mëshirën, dashurinë, etikën, drejtësinë dhe lirinë "-deklaroi z. Is’hak Xhahangiri.