Deklarata e Ligës Arabe kundër Iranit është e pavlefshme
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit e ka cilësuar si "të pavlefshme" deklaratën përmbyllëse të takimit të fundit të ministrave të jashtëm të Ligës Arabe në Kajro, duke theksuar se deklarata ishte "plot gënjeshtra dhe shtrembërime".
"Në përputhje me politikat e regjimit sionist për të intensifikuar përçarjet në rajon dhe për të devijuar vëmendjen e kombeve dhe shteteve myslimane nga okupimi i vazhdueshëm i Palestinës si çështja kryesore e Ummetit Islamik, Arabia Saudite ka arritur që përmes presionit dhe demagogjisë së gjerë politike dhe propagandistike, të ketë një deklaratë që është plot gënjeshtra dhe shtrembërime të lëshuar në emër të ministrave të jashtëm të Ligës Arabe ", tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasemi. Të dielën, ministrat e jashtëm të Ligës Arabe zhvilluan një takim të jashtëzakonshëm në kryeqytetin egjiptian me kërkesë të Arabisë Saudite. Në fund të takimit, pjesëmarrësit publikuan një deklaratë duke e akuzuar Iranin për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të rajonit dhe për politika agresive kundër shteteve arabe. z. Kasemi e hodhi poshtë këtë deklaratë si "të pavlerë" dhe i kërkoi Arabisë Saudite që "të përfundojë menjëherë agresionin e saj të egër" kundër popullit jemenas, në mënyrë që civilët jemenas, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të mos vriten më nga "flakët e zemërimit të sundimtarëve sauditë". “Irani gjithashtu i bën thirrje Arabisë Saudite që të ndalë politikën e saj të presionit dhe shantazhit mbi Libanin, Katarin dhe gjithë Lindjen e Mesme dhe t'i lejojë popullit të Bahrejnit të gjejë një zgjidhje paqësore për krizën aktuale në vend duke larguar forcat saudite nga atje”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Kasemi tha se politika e Iranit synon të zgjerojë marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, duke shtuar se Republika Islamike kishte bërë përpjekje të mëdha për të luftuar terrorizmin dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e krizave rajonale duke marrë pjesë aktive në disa raunde bisedimesh të paqes në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, mbi konfliktin sirian dhe me paraqitjen e një plani paqësor për Jemenin. Zëdhënësi iranian theksoi se zgjidhja e problemeve rajonale nuk ishte publikimi i deklaratave të tilla të pavlefshme, por ndalimi i ndjekjes së verbër të politikave të regjimit izraelit, dhënia fund e dhunës dhe terrorizmit dhe të pranimi i kërkesave legjitime të popujve dhe shteteve të rajonit.