Irani dhe Rusia duhet të çrrënjosin mbetjet e elementëve terroristë
Irani dhe Rusia duhet të forcojnë bashkëpunimin e tyre të sigurisë për të çrrënjosur mbetjet e elementëve terroristë, tha kreu i Parlamentit të Iranit, Ali Larixhani në Turqi, në margjinat e takimit të Asamblesë Parlamentare të Azisë.
"Kjo është një nevojë urgjente, pasi terrorizmi nuk ka marrë fund," tha Larixhani gjatë një takimi me Mikhail Jemelianov, zëvendëskryetari i parë i Dumës Shtetërore të Rusisë, në margjinat e mbledhjes së 10-të të Asamblesë Parlamentare të Azisë qe organizohet në Stamboll. "Ka ende skenare të reja përpara dhe për tu përballur me ato, Irani dhe Rusia duhet të forcojnë marrëdhëniet e sigurisë," shtoi kryeparlamentari iranian. Ndërkohë, zëvendëskryetari i parë i Dumës shtetërore ruse tha se për të luftuar terrorizmin, bashkëpunimi mes Iranit dhe Rusisë mbetet jetik. “Moska synon të mbështetet në bazat e reja për avancimin e lidhjeve të ndërsjellta me Iranin, për të çrrënjosur terrorizmin në Siri, "tha Mikhail Jemelianov, duke ju referuar bisedimeve të fundit midis presidentëve rusë, turq dhe iranianë në vendpushimin e Soçit në Detin e Zi.