Irani: Princi aventurier saudit të mbajë mend fatin e diktatorëve
Irani ka hedhur poshtë deklaratat e princit të kurorës së Arabisë Saudite kundër Republikës Islamike duke i cilësuar "të pamatura dhe të pavlera" dhe duke theksuar se deklaratat e tij nuk kanë asnjë kredibilitet në bashkësinë ndërkombëtare.
"Princi aventurier i kurorës saudite duhet të marrë parasysh fatin e turpshëm të diktatorëve famëkeq në rajon", tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, z. Behram Kasemi. Askush në botë dhe në bashkësinë ndërkombëtare nuk i jep kredi "deklaratave të papjekura, të pasakta dhe të pavlera" të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, shtoi z. Kasemi. Zëdhënësi iranian theksoi se gabimet e princit të kurorës së Arabisë Saudite, ku i fundit ishte skandali i ndërhyrjes në punët e brendshme të Libanit, kanë shqetësuar madje edhe aleatët tradicionalë të sauditëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit i kërkoi bin Salmanit që të mbajë në mendje fatin e pashmangshëm e të hidhur të diktatorëve famëkeq në rajon, tani që ai kërkon të ndjekë hapat dhe rrugën e tyre. Në një intervistë me The New York Times të botuar të enjten, princi i kurorës saudite tha se Riadi preferon një qasje konfrontuese në vend të "qetësimit" të marrëdhënieve me Iranin. Bin Salman bëri një analogji midis ndikimit në rritje të Iranit në rajon dhe politikave hegjemoniste të Gjermanisë në epokën e Hitlerit dhe tha: "Ne mësuam nga Evropa se toleranca nuk funksionon".