Larixhani: Ata që krijuan talibanët, krijuan edhe ISIS-in
Kryetari i Parlamentit të Iranit deklaroi se Presidenti i SHBA, Donald Trump, duke zgjeruar iranofobinë po përpiqet të pengojë bashkëpunimin e botës me Iranin.
Ali Larixhani e bëri këtë deklaratë të dielën në Teheran, në një takim me kryetarin e grupit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Iranin Janusz Lewandowski. “Irani është i angazhuar për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit dhe të gjitha palët nuk duhet të lejojnë që akuzat e pabaza të ngritura nga SHBA dhe disa nga aleatët e tyre në rajon të parandalojnë zbatimin e marrëveshjes bërthamore”, tha Larixhani duke shtuar: “BE mund të përfitojë nga atmosfera e krijuar pas marrëveshjes bërthamore dhe të ndihmojë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet heqjes së pengesave”.” Presidenti i ri i SHBA çdo ditë mban fjalime të reja kundër Iranit, për të frikësuar vendet e tjera dhe për t’i mbajtur larg Iranit, ndërkohë që u jep shpërblime vendeve sponsorizuese të terrorizmit”, deklaroi kryeparlamentari iranian duke shtuar: “Ata që krijuan talebanët e kanë krijuar edhe ISIS-in”. "Irani nuk ka kursyer asnjë përpjekje në luftën kundër terrorizmit, por për asgjësimin e tyre të plotë kërkohet një vullnet ndërkombëtar”, tha Larixhani, duke shtuar se me keqardhje disa vende të veçanta i mbështesin terroristët dhe i furnizojnë me armë ndërsa lëshojnë deklarata në dënimin e terrorizmit. I dërguari i BE, nga ana e tij, shprehu keqardhje për tërmetin shkatërrues në perëndim të Iranit dhe falënderoi për operacionin e shpëtimit në zonat e prekura. "Ne përcjellim mesazhe pozitive në emër të BE-së pavarësisht se çfarë vendimi mund të merret nga Presidenti Trump, pasi BE ndihet i detyruar për zbatimin e marrëveshjes bërthamore dhe do të qëndrojë pranë Iranit", tha Janusz Lewandowski. Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari grupit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Iranin, theksoi: “ Rivendosja e stabilitetit në rajon është e një rëndësie parësore për BE-në dhe Irani mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi Teherani ka bërë përpjekje madhore në luftën kundër ISIS, e cila është e njohur për të gjithë. Fitorja mbi ISIS-in nuk është fundi i lojës, por asgjësimi i tij në këtë fazë është i një rëndësie parësore dhe vendet e BE janë të vetëdijshme për këtë rrezik”. “BE është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik me Iranin dhe gjithashtu shpreson që të krijohen bazat për zgjerimin e një bashkëpunimi të tillë dhe BE-ja do të bëjë më të mirën për të hequr barrierat bankare me Iranin” tha Lewandowski.