Mesazh ngushëllimi për përvjetorin e martirizimit të Imam Hasan Askeri (as)
Dita e nesërme (e hënë) 8 Rabiulaval e vitit 1439 hixhri kameri që përkon me 27 nëntor 2017 është përvjetori i martirizimit të Imamit të njëmbëdhjetë të myslimanëve shi’itë, Imam Hasan Askeri (as).
Imami Hasan Askeri, i biri i Imamit të dhjetë, u lind në vitin 232/845 dhe u helmua dhe u martirizua në vitin 260/872 në një komplot të kalifit abasid Mutamidit. Gjatë shtatë viteve të imamatit të tij, për shkak të kufizimeve të papara që ia impononte kalifati Abasid, ai jetonte duke u fshehur. Ai nuk kishte pasur kurrfarë kontakti shoqëror madje as me njerëzit e rëndomtë në mesin e popullatës shi’ite. Vetëm elita e shi’itëve kishin mundësi ta shihnin. Megjithatë, pjesën më të madhe të kohës së tij e kaloi në burg. Në atë kohë kishte presione të jashtëzakonshme për shkak se popullata shi’ite kishte arritur një shkallë të konsiderueshme si në numër, ashtu edhe në fuqi. Prandaj, kalifati i mbante imamët nën mbikëqyrjen e tij të rreptë më shumë se kurdoherë më parë. Kalifati gjithashtu kishte marrë vesh se Imami i njëmbëdhjetë, sipas traditave të cituara nga ai si dhe nga gjyshërit e tij, do të kishte një djalë i cili ishte Mehdiu i premtuar, Imami i dymbëdhjetë, i cili do të zhdukë çdo shtypje e padrejtësi dhe do t’a mbushë botën me drejtësi. Ardhja e Mehdiut (a.xh.) ishte paraparë në hadithe të mirëfillta të Pejgamberit (s.a.v.s.) si në burimet sunite, ashtu edhe në ato shi’ite. Për këtë arsye, Imami i njëmbëdhjetë, më shumë se imamët e tjerë, mbahej nën vëzhgim nga Kalifati. Më në fund, në vitin 260 hixhri kameri, kalifi Abasid vendosi të helmojë Imam Hasan Askeriun (as). Imami i njëmbëdhjetë u varros në shtëpinë e tij në Samarrah të Irakut pranë babait të tij fisnik Imam Hadi (as). Me këtë rast, RTV i RII u shpreh ngushëllimet e sinqerta të gjithë myslimanëve dhe njerëzve liridashës e drejtësidashës të botës.