Krerët e parlamenteve të Iranit dhe Turqisë takohen në Teheran
Kryetari i parlamentit të Iranit, Ali Larixhani në një takim me homologun e tij turk Ismail Kahraman të hënën në Teheran, bëri thirrje për zgjerimin e marrëdhënieve bankare midis dy vendeve.
"Duhet të zgjerohet lidhja bankare e cila është e rëndësishme për biznesmenët e të dy vendeve," tha Larixhani gjatë takimit. Kryetari i parlamentit iranian tha se Teherani dhe Ankaraja kanë bashkëpunim të rrënjosur thellë në histori dhe perspektiva e këtij bashkëpunimi është e ndritur. Larixhani vuri në dukje se amerikanët po përpiqen të destabilizojnë situatën e vendeve të rajonit dhe shtoi: “Dëshmitë për ndërhyrjet e SHBA në aktet destruktive dhe destabilizuese në rajon janë mjaft të dukshme”. Kryetari i parlamentit të Iranit bëri thirrje për mbështetje të gjithanshme për popullin e Palestinës dhe për Kudsin e Shenjtë dhe tha: "Amerikanët duan të zgjidhin gradualisht këtë çështje në favor të Izraelit dhe nuk duhet të lejojmë që çështja e Palestinës të zgjidhet në mënyrë të padrejtë. Turqia luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.” Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit turk, Ismail Kahraman, gjithashtu iu referua rolit të rëndësishëm të Iranit dhe Turqisë në vendosjen e paqes në rajon, duke shtuar se "disa duan të krijojnë probleme në rajon duke promovuar terrorizmin, por bashkëpunimi mes Iranit dhe Turqisë do të jetë i frytshëm për t'i luftuar këto komplote".