Ruhani: Dalja e SHBA nga marrëveshja bërthamore, çmenduri politike
Presidenti iranian z.Hasan Ruhani deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë "një gabim shumë të madh" politik nëse largohen nga marrëveshja multilaterale e vitit 2015 mbi programin bërthamor të Teheranit.
Ruhani e bëri këtë deklaratë të shtunën në një takim me ambasadorin e ri polak në Teheran, Jarosław Marcin Domański, pas spekulimeve rreth tërheqjes së mundshme të SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin. "Përveç një ose dy vendeve, bashkësia ndërkombëtare aktualisht mbështet fuqishëm marrëveshjen bërthamore dhe administrata amerikane padyshim po bën një llogaritje të gabuar në këtë drejtim dhe dalja e saj nga kjo marrëveshje do të ishte një çmenduri politike," tha ai. Presidenti iranian shtoi se mbrojtja e marrëveshjes bërthamore do të rriste optimizmin e komunitetit ndërkombëtar drejt zgjidhjes diplomatike të çështjeve. "Angazhimi në respektimin e marrëveshjes bërthamore mund të përbëjë një bazë shumë të fortë për krijimin e një bashkëpunimi më të gjerë ndërmjet Iranit dhe Bashkimit Evropian dhe promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë", tha presidenti Ruhani.