Ruhani: Mesazhi i Revolucionit Islamik nuk është ekspansionizmi
Mesazhi i Revolucionit Islamik nuk është ekspansionizmi, por ky revolucion kërkon pavarësinë, moslejimin e të tjerëve të ndërhyjnë në punët e Iranit, si dhe krijimi i marrëdhënieve të drejta dhe të ndershme në bashkësinë ndërkombëtare, deklaroi Presidenti i Iranit z. Hasan Ruhani.
Presidenti Ruhani e bëri këtë deklaratë të shtunën në një takim me ambasadorët dhe krerët e misioneve diplomatike të huaja dhe organizata të tjera të huaja aktive në Republikën Islamike të Iranit. Ai shtoi se Irani është gati të mirëpresë investime të mëdha në sektorë të ndryshëm si nafta, gazi, petrokimia, turizmi dhe minierat. “Republika Islamike e Iranit mund të konsiderohet si një portë hyrëse për Lindjen e Mesme në një paradigmë të re”, tha Ruhani duke shtuar: ”Ekziston një hendek i madh midis vendeve që posedojnë hi-tech, fabrika të mëdha dhe të avancuara në industri dhe vendeve me burime të shumta natyrore dhe në rrethana të tilla janë krijuar marrëdhënie të reja midis botës së përparuar dhe vendeve të pazhvilluara, të cilat janë të padrejta dhe të pandershme”. Vendet industriale shfrytëzojnë burimet natyrore të vendeve në zhvillim me një çmim të padrejtë dhe rieksportojnë produktet e tyre industriale në ato vende me një çmim të padrejtë, dhe ky është shkaku i kolonializmit dhe shfrytëzimit, tha presidenti iranian. “Mesazhi i Revolucionit Islamik është pavarësia, mosndërhyrja e të huajve dhe vendosja e raporteve të drejta dhe të ndershme në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Presidenti i RII.