Ruhani: Perëndimi krijoi grupet takfiriste për të përçarë myslimanët
Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se Perëndimi ka krijuar grupet takfiriste që nuk kanë të bëjnë fare me fenë e shenjtë të Islamit, në një orvatje për të mbjellë mosmarrëveshje dhe përçarje mes myslimanëve.
Ruhani e bëri këtë deklaratë të enjten në një takim me një grup intelektualësh, klerikësh fetarë dhe udhëheqësve të bashkësisë myslimane në qytetin indian Haider Abad. "Bota perëndimore ka bërë përpjekje që vendet myslimane të preokupohen me veten e tyre duke krijuar mosmarrëveshje mes tyre," tha Ruhani. "Mosmarrëveshjet ekzistuese janë nxitur nga perëndimorët, ndërsa shi’itët dhe sunitët kanë jetuar vëllazërisht së bashku për shekuj, ku në Irak dhe Siri të gjitha fetë kishin bashkëjetesë paqësore", shtoi presidenti iranian. Presidenti Ruhani e quajti Indinë një "muze të gjallë të bashkëjetesës paqësore të feve, besimeve dhe sekteve të ndryshme". Presidenti i RII tha gjithashtu se problemet në vendet myslimane nuk mund të zgjidhen përmes forcës së armëve dhe mjeteve ushtarake, duke shtuar se për t'i zgjidhur ato ka nevojë për logjikë, arsyetim dhe dialog. "Ne nuk duam të kemi ndonjë hendek apo mosmarrëveshje me ndonjë vend mysliman, me shtetet rajonale dhe popujt miqësorë," vuri në dukje Ruhani.