Gjenden mbetjet e avionit ATR në Iran
Zëdhënësi i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit ka njoftuar se janë gjetur mbetjet e avionit ATR të kompanisë së linjave ajrore “Aseman” të Iranit.
Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se gjeneral Ramazan Sharif deklaroi se helikopterët e forcave ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit sot në mëngjes kanë gjetur mbetjet e avionit ATR në lartësitë e bjeshkës Dena. Një avion i llojit ATR i kompanisë së linjave ajrore “Aseman” të Iranit ditën e diel pas nisjes nga aeroporti Mehrabad i Teheranit në drejtim të qytetit Jasuxh në jugperëndim të Iranit, është rrëzuar në bjeshkën Dena në rajonin Semirom dhe si pasojë kanë humbur jetën të gjithë 66 pasagjerët. Aktualisht mbi 100 grupe emergjente dhe popullore kanë shkuar në zonën ku është rrëzuar avioni.