Zbulohen trupat dhe mbeturinat e aeroplanit të rrëzuar në Iran
Forcat iraniane kanë gjetur rrënojat e aeroplanit të humbur të kompanisë Aseman që u rrëzua me 66 vetë në bord në jugperëndim të Iranit të dielën.
Gjeneral brigade Ramezan Sharif, zëdhënës i Gardës Revolucionare të Iranit, tha për agjencinë e lajmeve Tasnim se helikopterët kishin vërejtur rrënojat të martën në mëngjes. Kreu i Qendrës Emergjente Mjekësore në provincën Isfahan tha se helikopterët nuk mund të futeshin në vendin e rrëzimit për të transferuar trupat për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Kapiteni i helikopterit që zbuloi rrënojat tha se aeroplani kishte rënë 30 metra poshtë një kodre. Avioni është copëtuar dhe vetëm një pjesë që mban logon e Aseman Airlines është e dukshme, shtoi ai. Një zyrtar i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit ka thënë më parë se 80 grupe kërkimi do të kryejnë një operacion në malin Dena në zonën malore të Zagros pasi të përmirësohen kushtet e motit.