Presidenti i FIFA takohet me ministrin e sportit të Iranit
(last modified Thu, 01 Mar 2018 13:04:50 GMT )
Mars 01, 2018 14:04 Europe/Tirane
  • Presidenti i FIFA takohet me ministrin e sportit të Iranit

Presidenti i FIFA-së z. Gianni Infantino, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, të enjten në Teheran është takuar me Masud Sulltani Far, ministrin e rinisë dhe sportit të Republikës Islamike të Iranit.

Sulltani Far në këtë takim u shpreh optimist se vizita e presidentit të FIFA-s në Iran do të ketë rezultate të mira për sportin dhe futbollin e Iranit. Ministri i rinisë dhe sportit të Iranit deklaroi: "Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Futbollit të Iranit gjatë viteve të fundit kanë bërë përpjekje të mëdha për përputhjen e futbollit iranian me standardet dhe kriteret e FIFA-s. Këto dy institucione duke marrë parasysh kriteret dhe interesat kulturore, kanë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin edhe të futbollit të femrave në këtë vend". Gianni Infantino, presidenti, dhe Marco van Basten, drejtori teknik i FIFA-s, të mërkurën në mbrëmje kanë arritur për vizitë në Iran ku janë pritur nga Mahdi Taxh, kryetari i Federatës së Futbollit të Iranit, dhe Ali Dai, ylli i njohur i futbollit iranian. Pjesëmarrja në ceremoninë e manifestimit të ditës botërore të futbollit të femrave, vizita në kompleksin e ekipeve kombëtare të Iranit, pjesëmarrja në ceremoninë e fillimit të projektit për ndërtimin e ndërtesës së re të Federatës së Futbollit të Iranit dhe disa aktivitete të tjera, do të jenë pjesë e programit të vizitës së drejtuesve të lartë të FIFA-s në Iran. Drejtuesit e lartë të FIFA-s gjithashtu do ta shikojnë nga stadiumi "Azadi" edhe ndeshjen derbi në Teheran mes ekipeve Perspolis-Esteghlal e cila po zhvillohet sot.