Ruhani-Macron, diskutojnë për marrëveshjen bërthamore dhe Sirinë
Presidenti iranian Hasan Ruhani dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar zhvillimet më të fundit në lidhje me marrëveshjen bërthamore të Iranit me grupin G 5 + 1 dhe situatën aktuale në Ghutën Lindore të Sirisë.
Të dy presidentët zhvilluan një bisedë telefonike të dielën në prag të vizitës së planifikuar të ministrit të Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian në Teheran. Ruhani përshëndeti qëndrimin e Francës mbi marrëveshjen bërthamore dhe përsëri u kërkoi të gjithë nënshkruesve të mbeten të përkushtuar ndaj detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes. "Shtatë vende arritën një marrëveshje, e cila gjithashtu u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB. Irani i ka përmbushur plotësisht zotimet e veta, por për fat të keq, SHBA ka krijuar vazhdimisht pengesa në rrugën e zbatimit të marrëveshjes bërthamore", deklaroi presidenti Ruhani. Presidenti francez, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me Iranin dhe tha se Parisi ka bërë përpjekjet maksimale për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore dhe mbetet i vendosur në këtë drejtim. Macron shtoi se Irani dhe Franca kanë një përgjegjësi të madhe përballë çështjeve në rajon dhe kërkoi bashkëpunimin mes Teheranit dhe Parisit për zhvillimet në vendet e rajonit, veçanërisht në Siri dhe Liban. Ruhani dhe Macron diskutuan gjithashtu situatën aktuale në rajonin Ghuta Lindore të Sirisë, që ndodhet afër kryeqytetit sirian Damask.