Irani kërkon shpjegime nga Turkmenistani për incidentin në Kaspik
Irani ka kërkuar shpjegim "të menjëhershëm" nga Turkmenistani pasi rojet kufitare turkmene hapën zjarr ndaj katër peshkatarëve iranianë në Detin Kaspik dhe vranë dy prej tyre.
"Ne po protestojmë fuqishëm ndaj veprimeve indiferente të rojeve kufitare të Turkmenistanit që hapën zjarr ndaj një anije peshkimi", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Behram Kasemi, në një deklaratë të enjten. Incidenti thuhet se ndodhi të martën në mbrëmje, kur katër peshkatarët po lundronin pranë kufirit të ujërave territoriale iraniane në Detin Kaspik. Kasemi tha: "Menjëherë pas incidentit dhe qarkullimit të këtij lajmi të kobshëm , Ministria e Jashtme dhe Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Turkmenistan kontaktuan autoritetet turkmene dhe e ndoqën seriozisht këtë çështje." Ata paraqitën një notë zyrtare, duke i kërkuar qeverisë së Turkmenistanit një sqarim rreth incidentit, tha zëdhënësi iranian. "Edhe nëse peshkatarët iranianë iu afruan ujërave të Turkmenistanit, bazuar në praktikën e zakonshme ndërkombëtare, rojet kufitare mund t'i kishin larguar ata nga ujërat e vendit të tyre," tha ai. "Prandaj, ne kërkojmë një shpjegim të menjëhershëm dhe zyrtar nga autoritetet përgjegjëse në Turkmenistan dhe shpresojmë se duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, të gjitha aspektet e incidentit do të sqarohen me bashkëpunimin e autoriteteve kompetente të vendit," shtoi Kasemi .