Irani reagon ndaj akuzave të Arabisë Saudite
Përfaqësuesi i Iranit në OKB, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të Arabisë Saudite kundër Iranit për gjoja ndikimin e Iranit në sulmin raketor të lëvizjes Ansarullah kundër Riadit.
Golam’ali Khoshro, përfaqësuesi i Republikës Islamike të Iranit në OKB këto pretendime i ka cilësuar të pabaza që bëhen me qëllim që të hiqet vëmendja e opinionit publik nga krimet që Arabia Saudite kryen në Jemen. Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB dhe kreut të KS të kësaj organizate, Golam’ali Khoshro tha se të tilla akuza dhe kërcënime bien ndesh me kartën e OKB dhe të parimit për mos kryerjen e kërcënimeve dhe përdorimin e forcës. Khoshro përmendi rrethimin total të Jemenit nga Arabia Saudite dhe tha se pretendimet për trafikun e raketave balistike në këtë vend janë të pabaza dhe bëhen vetëm për të devijuar opinionin publik. Khoshro gjithashtu ka kërkuar nga Arabia Saudite të heqë dorë nga veprimet e saj destabilizuese në rajon dhe t’i japë fund agresionit ushtarak kundër Jemenit ku ka krijuar një katastrofë të madhe. Ai gjithashtu nga Bashkësia Ndërkombëtare kërkoi që t’i njohë autoritet e regjimit Saudit si përgjegjës për krizën dhe katastrofën në Jemen dhe të krijojë kushtet për armëpushimin dhe garantimin e ndihmave humanitare për Jemenin. Arabia Saudite së bashku me disa aleatë të saj që nga marsi i vitit 2015 e deri më tani, me qëllim që të kthejë në pushtet Abdarabuh Mansur Hadin, presidentin e dorëhequr të Jemenit, ka filluar agresionin ushtarak kundër Jemenit. Arabia Saudite me gjithë shpenzimet e shumta dhe sulmet e pandërprera kundër Jemenit, nuk ka arritur akoma të realizojë asnjë prej qëllimeve të saj në Jemen.