Irani është gati për skenarët më të rrezikshëm
Një komandant i lartë i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit deklaroi se populli iranian është i përgatitur për "skenarët më të rrezikshëm të kërcënimeve" kundër Iranit, ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump pritet të njoftojë një vendim mbi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.
"Sot, Irani ka epërsi në ekuacionet rajonale dhe armiqtë tanë duke përfshirë SHBA, regjimin sionist dhe regjimet e tyre kukulla në rajon duhet ta dinë se populli iranian është përgatitur për skenarët më të rrezikshëm të kërcënimeve", tha të martën gjenerali Husein Selami, zv/komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare. Ai më tej tha se në fund të luftës së imponuar të Irakut ndaj Iranit në vitet 1980, armiqtë filluan një luftë të gjithanshme kundër Republikës Islamike në fushat ekonomike dhe politike. Megjithatë, kombi iranian dëshmoi se nuk mund të mposhtet dhe është i aftë të mbrojë vendin përballë armiqve, shtoi gjeneral Selami. Ai theksoi se Irani aktualisht është një superfuqi në rajon dhe se populli iranian nuk ka frikë nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara apo agresioni ushtarak i tyre.