Ruhani: Irani kërkon marrëdhënie konstruktive me botën
Presidenti iranian Hasan Ruhani theksoi se Irani kërkon "marrëdhënie konstruktive" dhe "të favorshme" me botën, por do të vazhdojë rrugën e zhvillimit pa marrë parasysh sanksionet ndaj vendit.
Duke ju drejtuar të martën zyrtarëve të lartë të naftës në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Naftës në Teheran, Ruhani tha se administrata e tij që nga fillimi ka kërkuar "ndërveprim të duhur, konstruktiv, efektiv dhe të favorshëm me botën". "Sigurisht, mund të ketë edhe rrethana të jashtëzakonshme dhe të veçanta në këtë fushë, të cilat me siguri do ti lëmë pas në kohën më të shkurtër", shtoi ai. Me sa duket, presidenti iranian iu referua mundësisë së rivendosjes së sanksioneve bërthamore të Uashingtonit kundër Iranit, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi se vendi i tij nuk do të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore. "Nëse i nënshtrohemi sanksioneve apo jo, ne duhet të lëvizim në një drejtim të tillë që na ndihmon të qëndrojmë në këmbët tona. Kjo është një domosdoshmëri" , theksoi presidenti Ruhani. "Me sa duket, është e vështirë për disa që të durojnë faktin se këtë vit kombi iranian do të festojë 40 vjetorin e fitores së Revolucionit të tij," vuri në dukje presidenti Ruhani duke shtuar: "Me vullnetin e Zotit, populli i Iranit do të vazhdojë rrugën e pavarësisë, lirisë, besnikërisë ndaj Islamit dhe sistemit të qeverisë së Republikës dhe demokracisë për vitet dhe shekujt që do të vijnë. Kjo është rruga që ka zgjedhur populli i madh iranian ".