Lideri Suprem: Vendet aziatike të shtojnë bashkëpunimin
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei theksoi se vendet aziatike duhet të rrisin bashkëpunimin në përpjekje për të rritur fuqinë e tyre.
"Vendet aziatike duhet të bashkëpunojnë më tej me njëri-tjetrin, sepse një bashkëpunim i tillë do t'i bëjë ata më të fortë," tha Ajetollah Khamenei në një takim të zhvilluar të dielën në Teheran me presidentin e Sri Lankës, Maithripala Sirisena. Gjatë takimit, ku mori pjesë edhe Presidenti iranian Hasan Ruhani, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vuri në dukje marrëdhëniet kulturore dhe historike mes dy vendeve dhe tha se niveli i tanishëm i lidhjeve tregtare është "shumë më i ulët" sesa kapacitetet ekzistuese. Ajatollah Khamenei deklaroi se arritjet shkencore, teknike dhe kërkimore të Iranit mund të jenë një terren i përshtatshëm për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. "Republika Islamike e Iranit është e gatshme të përmirësojë miqësinë dhe bashkëpunimin me qeverinë dhe vendin tuaj", shtoi Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Ajetollah Khamenei theksoi rëndësinë e zbatimit të memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara midis dy vendeve për të zgjeruar marrëdhëniet e gjithanshme Teheran-Kolombo. Presidenti i Sri Lankës, nga ana e tij, tha se zyrtarët e të dy vendeve ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin mes dy shteteve në të gjitha fushat. Ai shtoi se Irani është ndër vendet më të përparuara në fushat teknike, shkencore dhe akademike dhe shprehu shpresën se Sri Lanka do të përfitonte nga arritjet e Republikës Islamike.