Irani tepër i fuqishëm për tu nënshtruar
Shefi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Akbar Salehi, theksoi se Republika Islamike e Iranit është më e fuqishme se çdo kohë dhe nuk mund të nënshtrohet lehtësisht përballë planeve të SHBA për të vendosur sanksionet të reja.
"Autoriteti dhe pozita e Iranit janë të tilla që nuk mund të injorohen me lehtësi. Sot, Irani është në një pozitë më të fuqishme se e kaluara," tha Salehi në një konferencë të përbashkët shtypi të shtunën në Teheran me Komisionerin e Energjisë së BE Miguel Arias Canete. Salehi tha se Irani shpreson se Bashkimi Evropian do të përmbushë premtimet e veta "në të ardhmen e afërt" pasi blloku filloi të premten procesin e masave për të mbrojtur evropianët nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. "Megjithatë, derisa këto premtime nuk zbatohen në praktikë, ne nuk mund të flasim me vendosmëri", tha ai duke shtuar: "Ne shpresojmë që në të ardhmen e afërt, mund të dëshmojmë materializimin e këtyre premtimeve. Përndryshe, kombi iranian duhet të sigurohet se ne do të ecim përpara në rrugën e progresit me forcë dhe vendosmëri pa asnjë shqetësim dhe nuk do të ketë probleme serioze edhe pse mund të ketë disa pengesa që mund të ngadalësojnë ritmin, por nuk mund të ndalojnë në rrugën tonë". Komisioneri i Energjisë së BE Miguel Arias Canete nga ana e tij, tha se ruajtja e marrëveshjes bërthamore, pavarësisht nga tërheqja e SHBA, ishte "thelbësore për paqen në rajon". Canete është në Teheran për të siguruar Iranin se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Teheranin pavarësisht vendimit të Presidentit të SHBA Donald Trump për të dalë nga marrëveshja dhe për të vendosur sanksionet mbi Iranin.