Thirrjet qiellore (Speciale për muajin e shenjtë të Ramazanit)
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i77308-thirrjet_qiellore_(speciale_për_muajin_e_shenjtë_të_ramazanit)
Në këtë edicion do të flasim rreth një virtyti tjetër të njeriut besimtar.  
(last modified 2026-04-18T19:53:30+00:00 )
Qershor 06, 2018 07:06 Europe/Tirane

Në këtë edicion do të flasim rreth një virtyti tjetër të njeriut besimtar.  

Miq të nderuar duke e lutur Zotin që të pranojë adhurimin dhe ibadetin tuaj në muajin e gostisë hyjnore, iu ftojmë të na ndiqni me edicionin e radhës së programit “Thirrjet qiellore”. Në edicionin e kaluar kemi folur rreth çështjes së nënshtrimit të besimtarit ndaj urdhrave të Zotit dhe të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe thamë se e vetmja rrugë për unitetin dhe bashkimin e botës islame është zbatimi i këtij parimi themelor dhe theksuam se anashkalimi i këtij parimi bëhet shkak për përçarje dhe konflikte. Në këtë kuadër mund të shtrohet kjo pyetje se cili është qëllimi i Kur’anit të shenjtë nga pranimi i nënshtrimit të besimtarit përpara thirrjes dhe urdhrave të Zotit dhe të të Dërguarit të Tij? Kur’ani i shenjtë në lidhje me këtë thotë:

“O ju që keni besuar, pasi që Zoti dhe i Dërguari iu ftojnë juve në atë që siguron jetën tuaj të përhershme (do të thotë besimin), përgjigjuni pozitivisht dhe dijeni se Zoti e di çka ekziston në mes trupit dhe zemrës së njeriut (i di të gjitha sekretet e brendshme të njeriut) dhe të gjithë do të ringjalleni para Tij”. (Surja Enfal, ajeti 24).

Ky ajet në mënyrë të qartë thotë se thirrja e Zotit dhe e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. është thirrje drejt jetës së përhershme. Jetës shpirtërore, jetës fetare, kulturore, morale, shoqërore dhe politike dhe në një vështrim të përgjithshëm, thirrje që përfshinë të gjitha fushat. Prandaj, nëse njëri nga ne pyet se për çfarë arsye Zoti dhe Profeti s.a.v.s. kërkojnë nga ne që të nënshtrohemi para urdhrave të tyre dhe të pranojmë thirrjen e tyre, në një fjali mund të themi se qëllimi i tyre është që shpirti i jetës hyjnore dhe njerëzore të futet në të gjitha dimensionet e jetës së njeriut. Pikërisht ajo çfarë ka nevojë më së shumti shoqëria e periudhës aktuale. Në bazë të kësaj, njeriu mund të kuptojë se ata të cilët fenë e mendojnë si një varg programesh të pashpirt dhe jashtë sferave shoqërore të jetës së njeriut dhe jashtë jetës së përditshme, deri në çfarë mase janë duke gabuar në lidhje me këtë çështje.

Feja Islame në të gjitha sferat intelektuale, shkencore dhe individuale dhe shoqërore, krijon jetë aktive dhe zhvillim, krijon ndjenjën e përgjegjësisë përball fatit të njeriut dhe shoqërisë dhe krijon një jetë të vërtetë. Saktësisht për këtë arsye bota e mosbesimit ka frikë nga depërtimi dhe përhapja për çdo ditë e më tepër e Islamit burimor të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe për këtë arsye ajo kundërshton ashpër ripërtëritjen dhe zhvillimin e popujve mysliman, sepse një gjë e tillë rrezikon interesat e botës së mosbesimit, prandaj ajo bënë të gjitha përpjekjet për zhdukjen e Islamit.

Një perceptim tjetër që mund të bëhet nga ky ajet është ky që jeta e vërtetë njeriut është pikërisht ajo jetë shpirtërore dhe njerëzore sepse nëse njeriu dhe shoqëria nuk do të kenë këtë jetë, konsiderohen të vdekur. Do të thotë i vdekuri që sikur kafshët han, pi, lëviz, flenë dhe zgjohet, mirëpo në atë nuk vërehet kurrfarë shenje nga jeta morale dhe njerëzore. Qëllimi i misionit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. është çlirimi i njeriut nga prangat e vdekjes së sipiritualitetit dhe ripërtëritja e jetës njerëzore të njeriut, prandaj ndoshta për këtë arsye Zoti i madhëruar në lidhje me ata të cilët kanë humbur efikasitetin e jetës dhe po jetojnë si të vdekurit që lëvizin, e urdhëron Hazretin Muhamed s.a.v.s. duke i thënë: “Me siguri që ti nuk mund ta kumtosh mesazhin tënd për të vdekurit dhe për atë të cilët nuk kanë veshë për të dëgjuar”.  (Surja Nahl, ajeti 80).

Me fjalë të tjera individi dhe shoqëria e cila është zhytur në baltën e mëkatit, është zhytur në baltën e dëshirave të egos dhe të shkeljes së të drejtave të të tjerëve, janë si të vdekurit të cilët nuk dëgjojnë rënkimin e njerëzve të shtypur. Kur’ani i shenjtë në përshkrimin e karakteristikave të njerëzve të tillë thotë:

“Ata kanë arsye, mirëpo nuk kanë forcën e të kuptuarit dhe perceptimit (dallimin e të vërtetës nga e pavërteta). Ata kanë sy, por nuk kanë shikim, ata kanë veshë, mirëpo dëgjojnë. Ata janë si kafshët me katër këmbë, por më të humbur dhe më të ulët. Ata (pavarësisht të gjitha mjeteve dhe aftësive arbitrare për njohjen e të vërtetës) jetojnë në një botë të neglizhencës dhe të pavetëdijesimit”. (Surja A’raf 179)

Vlen të theksohet se Zoti i madhëruar ata të cilët kanë humbur jetën shpirtërore dhe njerëzore, së pari i krahason me kafshët me katër këmbë të cilat nuk posedojnë arsyen dhe ndjenjën e njeriut dhe që nuk kanë kurrfarë mjeti të njohjes, ndërsa më pas thotë se njerëzit e tillë për shkak se kanë arsye, sy dhe veshë, por jetojnë si të vdekurit që lëvizin e që nuk kanë ndjenjë dhe aftësinë e perceptimit. Ata janë më të humbur se sa kafshët me katër këmbë. Kur’ani i shenjtë njerëzit e tillë i krahason me të vdekurit të cilët janë varrosur në varrezat e jetës. Për këtë arsye Zoti i madhëruar e urdhëron Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. duke i thënë:  

“Të gjallët (fronti i të vërtetës) nuk janë të barabartë me të vdekurit (fronti i humbur). Me të vërtetë Zoti secilin (që ka aftësi dhe merita) që dëshiron, e bënë të dëgjueshëm. Dhe ti (mesazhin tënd gjallërues) nuk mund ta kumtosh për ata të cilën janë të shtrirë në varrë”. (Surja Fatir, ajeti 22).

Në fund arrimë në këtë konkludim se e vetmja rrugë për të gëzuar jetën hyjnore, njerëzore dhe morale, është dëgjimi dhe pranimi plotësisht i thirrjes jetëdhënëse të Zotit dhe Profetit të nderuar të Islamit dhe besimi në mënyrë të vetëdijshme. Ata të cilët nuk i përgjigjen thirrjes qiellore dhe ia kthejnë shpinën asaj, në mënyrë graduale pësojnë vdekje spirituale dhe bien deri në një nivel që në një vlerësim krahasues, ata bëhen më të ulët se sa kafshët me katër këmbë.

E lusim Zotin e madhëruar që në muajin e bekuar të Ramazanit që në shpirtin dhe zemrën tonë të vendosë freskinë jetëdhënëse të ajeteve hyjnore dhe të na mundësojë neve që të gëzojmë jetën islame!