Irani fajëson politikat e Trump për çmimet e larta të naftës
Irani thekson se politikat armiqësore të presidentit amerikan Donald Trump janë shkaktare të rritjes së çmimeve të naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare, duke hedhur poshtë sulmin e tij të mërkurën kundër Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK) për gjendjen aktuale të tregut të naftës.
Husein Kazempur Ardebili, përfaqësuesi i Iranit në OPEK, theksoi se sanksionet që Trump kishte hartuar kundër Iranit dhe Venezuelës ishin kryesisht shkaqet për çmimet e larta të naftës. "Ju nuk mund të vendosni sanksione ndaj dy anëtarëve themelues të OPEK-ut dhe të fajësoni OPEK-un për luhatshmërinë e çmimit të naftës," tha ai në një deklaratë për Reuters. Komentet e Kazempur Ardebili erdhën në përgjigje të një mesazhi të Donald Trump në të cilin ai kishte akuzuar OPEK-un se po punon për të rritur çmimet. "Çmimet e naftës janë shumë të larta, OPEK-u është fajtor përsëri. Jo mirë!" shkroi ai në një postim në Twitter.