BE: Marrëveshja bërthamore nuk ka alternativë
(last modified Wed, 13 Jun 2018 19:33:12 GMT )
Qershor 13, 2018 21:33 Europe/Tirane
  • BE: Marrëveshja bërthamore nuk ka alternativë

Gjetja e zgjidhjeve për çështjet bankare dhe financiare, që do të lejonte që marrëveshja bërthamore me Iranin të ruhej pas tërheqjes së SHBA nga kjo marrëveshje, është sfida kryesore për vendet anëtare të BE, tha të martën shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.

Duke folur gjatë seancës plenare të Parlamentit Europian, Mogherini theksoi: " "Sfida më e rëndësishme tani është gjetja e zgjidhjeve për bankat dhe financat sepse tregtia dhe investimet legjitime kanë nevojë për partnerë bankarë dhe modele financiare që funksionojnë. Këto çështje po trajtohen nëpërmjet konsultimeve intensive të ekspertëve që kryhen në baza ditore, përfshirë në Bruksel dhe në Teheran, por edhe në nivelin politik. " Fakti që disa kompani të BE-së tashmë janë larguar nga marrëveshjet e tyre me Iranin, nga frika e sanksioneve sekondare të Shteteve të Bashkuara, kontribuoi në rritjen e presionit brenda Iranit nga ata që kishin kundërshtuar marrëveshjen bërthamore, tha Mogherini. Ajo shtoi se plani i kohëve të fundit që Irani të rritë pasurimin e uraniumit duhet të konsiderohet në këtë kontekst. Dështimi i marrëveshjes bërthamore mund të krijojë një "spirale të përhapjes së armëve bërthamore në Lindjen e Mesme" që bota nuk mund ta përballojë, paralajmëroi Mogherini. Ndërkohë, Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se Evropa në bisedimet me ekspertët iranianë ka deklaruar angazhimet dhe zotimet e saj në kuadër të marrëveshjes bërthamore mirëpo deri tani nuk ka propozuar ndonjë paketë të nevojshme veprimi për këtë marrëveshje. Muhamed Xhavad Zarif tha se bisedimet mes ekspertëve iranianë dhe të grupit 4+1 u mbajtën javën e kaluar në Iran dhe shtoi se të gjitha palët janë të angazhuar për përpilimin e një pakete në një afat të shkurtër. Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit tha se kombi iranian duhet të sigurohet se do të përfitojë të gjitha favoret që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore dhe shtoi se ashtu siç ka theksuar edhe lideri suprem i revolucionit islamik, kufizimet e programit bërthamor paralelisht me sanksionet janë të papranueshme.  Nga ana e tij, Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se Republika Islamike do të heqë dorë nga marrëveshja shumëpalëshe bërthamore nëse nuk do të përfitojë nga marrëveshja pas tërheqjes së SHBA. "Nëse Irani nuk mund të gëzojë përfitimet e marrëveshjes, do të jetë praktikisht e pamundur të qëndrojë në të," tha Ruhani në një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron. Presidenti iranian përgëzoi deklaratat e vendeve evropiane, përfshirë Francën, për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore. Megjithatë, ai theksoi se deklaratat e tilla duhet të shoqërohen me masa praktike dhe të prekshme dhe zgjidhje konkrete për të ndihmuar Iranin të përfitojë nga marrëveshja.

 

Tags