Presidenti iranian përjashton zgjidhjen ushtarake ndaj krizës së Jemenit
Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se një qasje ushtarake do të dështojë në zgjidhjen e krizës së Jemenit, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të stabilitetit dhe sigurisë në vendin e shkatërruar nga lufta dhe në të gjithë Lindjen e Mesme përmes kanaleve politike.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar të hënën me Emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, Presidenti Ruhani paralajmëroi se sulmet e kohëve të fundit të koalicionit ushtarak dhe milicisë ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite, në krahinën perëndimore të Hudejdas, do të çonin në një krizë serioze në Jemen. "Vazhdimi i këtyre konflikteve i ka vënë njerëzit e varfër jemenas nën presion të patolerueshëm dhe të gjithë jemi të detyruar të ndihmojmë këtë komb të shtypur", vuri në dukje presidenti iranian. Ndër të tjera, presidenti iranian theksoi se politika e Republikës Islamike mbështetet në ndërveprimin dhe dialogun me vendet e rajonit me qëllim që t'i japë fund konflikteve në vazhdim, duke shtuar se krijimi i stabilitetit dhe sigurisë në të gjithë rajonin do të ishte e dobishme për të gjitha vendet rajonale. "Ne i konsiderojmë si të pasakta politikat aventureske të vendeve të caktuara të rajonit dhe besojmë se vazhdimi i këtij procesi pa dyshim do të intensifikojë problemet ekzistuese në rajon, përfshirë Palestinën, Sirinë dhe Jemenin," tha Ruhani. Emiri i Katarit, nga ana e tij, tha se të gjitha konfliktet rajonale mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut, duke shtuar se asnjë vend nuk mund të imponojë qëndrimin e tij ndaj të tjerëve. Ai theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë popullin palestinez dhe rezistencën e tij kundër regjimit izraelit. Emiri i Katarit vlerësoi mbështetjen e Republikës Islamike të Iranit për Dohën gjatë krizës së Gjirit Persik në të cilën Katari ishte bërë objekt i një bllokade totale nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj. "Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë dhe të përforcojmë më tej marrëdhëniet tona me Iranin në të gjitha fushat," tha Emiri i Katarit SheikhTamim bin Hamad Al Thani.