Fitore e vështirë e Spanjës ndaj Iranit
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i78378-fitore_e_vështirë_e_spanjës_ndaj_iranit
Spanja i është gëzuar fitores së parë në Kampionatin e sivjetmë Botëror duke fituar ndaj Iranit (1-0) në ndeshjen e xhiros së dytë në kuadër të Grupit B.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Qershor 20, 2018 22:06 Europe/Tirane
  • Fitore e vështirë e Spanjës ndaj Iranit

Spanja i është gëzuar fitores së parë në Kampionatin e sivjetmë Botëror duke fituar ndaj Iranit (1-0) në ndeshjen e xhiros së dytë në kuadër të Grupit B.

Gjysma e parë e takimit nuk dhuroi shumë raste shënimi dhe kur skuadrat shkuan në pushim, rezultati ishte ai i fillimit të ndeshjes (0-0). Në fillim të pjesës së dytë, të dyja skuadrat e patën nga një shans, mirëpo më pas La Roja e zhbllokoi rezultatin. Diego Costa pranoi një top në zonë, u rrotullua dhe goditja e tij aksidentalisht u ndal në rrjetë (54′). Në minutën e 63-të, futbollistët e Iranit ia dolën që ta fusnin topin në rrjetë, mirëpo me ndihmën e sistemit VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje. Të dyja skuadrat në vazhdim të ndeshjes u përpoqën që të shënonin, spanjollët për ta vulosur fitoren, kurse iranianët e kërkonin barazimin. Megjithatë, deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk u shënua gol tjetër. Irani ka tri pikë dhe do ta kërkojë kualifikimin ndaj Portugalisë në xhiron e fundit të fazës grupore. Iranianët duhet t’i mposhtin portugezët për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt.