Masakra në Sardasht, përdorim i armëve kimike për qëllime politike
Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit me rastin e përvjetorit të sulmit kimik kundër qytetit Sardasht në veriperëndim të Iranit ka thënë se dy regjime agresore dhe dashakeqe d.m.th. Amerika dhe Izraeli janë përgjegjës për vazhdimin e dosjes së zezë të armëve kimike në rajon.
Muhamed Xhavad Zarif, ditën e enjte ka thënë: Amerika dhe regjimi sionist duke penguar pastrimin e rajonit nga armët e shkatërrimit në masë, janë përgjegjës për vazhdimin e dosjes së zezë të këtyre armëve çnjerëzore në rajonin e ndjeshëm të Lindjes së Mesme. Më 28 qershor të vitit 1987, regjimi i Sadam Huseinit, pasi mori dritën jeshile të perëndimit sulmoi rajonin Sardasht me armë kimike duke lënë të vrarë mbi 120 njerëz të thjeshtë. Pasojat që lë përdorimi i armëve kimike nuk kufizohen në një afat të caktuar pasi ato ndihen edhe pas shumë vitesh. Kjo masakër u bë në kohën kur perëndimi ndjek politika të dyfishta. Pas shumë vitesh ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe ka pohuar dhe konfirmuar sulmet kimike të regjimit Bath të Sadam Husenit në luftën e Irakut kundër Iranit, duke i quajtur ato tragjedi. Në mesazhin e ministrisë së jashtme të Britanisë së Madhe të titulluar “ Jo armëve kimike” është theksuar se me mijëra ushtarë iranianë në luftën e Irakut kundër Iranit, janë bërë pre e sulmeve kimike të Sadam Huseinit. Ministria e jashtme e Britanisë së Madhe, ka konfirmuar sulmet kimike të Sadamit kundër ushtarëve iranianë në luftën 8-vjecare të regjimit Bath të Irakut kundër Iranit në kohën kur qeveritë perëndimore si Hollanda, Britania, Gjermania dhe Amerika ishin ndër mbështetësit kryesor të regjimit Bath të Irakut të cilin e kanë pajisur me teknologjinë e prodhimit të armëve kimike. Me fjalë të tjera kompanitë evropiane ishin ato që garantuan armët kimike për regjimin e Sadamit dhe shumë autoritete evropiane kanë mbështetur këtë veprim dhe me heshtjen e tyre i kanë dhënë dritë jeshile regjimit të Sadamit që të përdorë armët kimike. Mirëpo regjimi i Sadamit, armët e tij kimike nuk i ka përdorur vetëm kundër ushtarëve dhe civilëve iranianë por edhe kundër civilëve në Irak duke lënë me mijëra viktima kryesisht fëmijë dhe femra, sidomos në sulmet kimike kundër qytetit Sardasht të Iranit dhe Halabçe të Irakut. Sulmi kimik i Sadamit kundër qytetit Halabçe në vitin 1987 është i njohur me emrin “ Masakra e Halabçesë” apo “ E Premtja e përgjakshme”. Në atë sulm 5 mijë persona humbën jetën dhe mbi 7 mijë të tjerë u lënduan për shkak të lëndëve kimike. Edhe pse tani pas disa dekadash Anglia ka pohuar këtë fakt historik dhe kjo mund të konsiderohet si një hap përpara, mirëpo implikimi i vendeve perëndimore dhe i organizatave ndërkombëtare në prodhimin, shitjen dhe përdorimin e armëve kimike vazhdon akoma. Regjimi sionist është i vetmi që posedon armë bërthamore dhe të shkatërrimit në masë. Ky regjim që ka pushtuar dhe shtypur popullin palestinez, me armët e tij atomike, kimike dhe biologjike përbën kërcënim serioz për rajonin e Azisë perëndimore. Shumë ekspertë amerikanë kanë deklaruar se Izraeli që nga viti 1973 ka pasur armëve kimike dhe në vitin 1980 ai ka arritur të rinovojë arsenalin e tij të armëve kimike. Abas Eragçi, zv/ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit për çështjet politikë, thotë: Lindja e Mesme është i vetmi rajon i cili pas luftës botërore ka përjetuar raste të përdorimit të armëve kimike. Regjimi sionist i cili posedon një numër të madh armësh të shkatërrimit në masë, nuk pranon të anëtarësohet në traktatin për ndalimin dhe përhapjen e të tilla armëve dhe për këtë ai përbën një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë e rajonit dhe të botës.