Sanksionet e SHBA në kundërshtim me sovranitetin dhe kredibilitetin e Evropës
Një diplomat i lartë iranian thotë se sanksionet e imponuara nga Shtetet e Bashkuara mbi Teheranin shkelin sovranitetin, sigurinë dhe kredibilitetin e Evropës në vend që të synojnë ekonominë e Iranit.
"Ne jemi duke pritur për të parë se si Evropa do të mbrojë sovranitetin e saj kundër presionit të Uashingtonit", tha të premten zëvendësministri i jashtëm iranian për çështjet politike, Abas Erakçi, i cili është në Madrid për bisedime me zyrtarë të lartë spanjollë. Më parë këtë muaj, administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump njoftoi ri-vendosjen e sanksioneve "më të vështira" ndonjëherë kundër sektorit bankar dhe energjetik të Iranit me qëllim të ndërprerjes së eksportit të naftës iraniane. Raundi i parë i sanksioneve amerikane hyri në fuqi në muajin gusht, duke synuar qasjen e Iranit në dollarin amerikan, tregtimin e metaleve, qymyrin, softuerin industrial dhe sektorin e automjeteve. Erakçi më tej tha se bashkësia ndërkombëtare, me përjashtim të një ose dy vendeve, ka dënuar masën e Shteteve të Bashkuara për të ri-imponuar sanksione "të paligjshme" kundër Iranit në kundërshtim me Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila miraton marrëveshjen bërthamore. Megjithatë, SHBA po përdor fuqinë e saj ekonomike dhe dollarin për të imponuar kërkesat e veta në vendet e tjera, shtoi ai, duke vënë në dukje se kompanitë evropiane duket se po marrin urdhrat e SHBA-së më seriozisht se ato të qeverive të tyre.