Larixhani: Irani rezervon të drejtën të largohet nga marrëveshja bërthamore
Kryetari i Parlamentit Islamik të Iranit duke folur për vazhdimin e procesit të ruajtjes së marrëveshjes bërthamore, deklaroi: "Nëse interesat e Iranit nuk sigurohen në kuadër të marrëveshjes bërthamore, Teherani rezervon të drejtën për t'u larguar nga kjo marrëveshje".
Ali Larixhani në një konferencë shtypi të zhvilluar të hënën në Teheran sa i përket bisedimeve me evropianët mbi vazhdimin e respektimit të marrëveshjes bërthamore, theksoi: " Evropianët duhet të marrin vendimin përfundimtar dhe të ngrenë çështje lidhur me mekanizmin financiar, dhe kjo nuk ka lidhje me FATF." Në rast të dështimit të negociatave me Evropën për vazhdimin e marreveshjes bërthamore, do të marrim vendime adekuate" tha kryeparlamentari iranian. Ai vuri në dukje se evropianët, pavarësisht nga largimi i Shteteve të Bashkuara, kishin këmbëngulur të vazhdonin marrëveshjen bërthamore dhe ofruan disa mënyra për të vazhduar këtë bashkëpunim, por në praktikë janë vonuar shumë. Larixhani, duke folur mbi mundësinë e negociatave mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pas shpalljes së gatishmërisë së Presidentit të Shteteve të Bashkuara për bisedime të pakushtëzuara me Iranin, e përshkroi këtë si një taktikë të turpshme dhe shtoi: " Sot, kushtet për një negocim të tillë nuk janë të përshtatshme, por amerikanët duhet së pari të provojnë vullnetin e tyre të mirë për të negociuar, duke u kthyer në marrëveshjen bërthamore". Kryetari i Parlamentit iranian, duke thënë se Teherani është kundër ndarjes së Jemenit, vuri në dukje se "Ashtu si Irani nuk u pajtua me ndarjen e Irakut dhe mbështeti qeverinë e Bagdadit, edhe tani ai është gjithashtu kundër ndarjes së Jemenit, sepse kjo do të dëmtonte rëndë rajonin".