Irani mirëpret çlirimin e qytetit Manbixh në Siri
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit ka mirëpritur çlirimin e qytetit Manbixh dhe vendosjen e flamurit kombëtar të Sirisë në këtë qytet.
Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, duke folur për hyrjen e forcave të ushtrisë siriane në qytetin Manbixh, deklaroi: “Irani duke theksuar nevojën për respektimin e sovranitetit kombëtar dhe integritetin territorial të Sirisë, konsideron se ngritja e flamurit kombëtar të Sirisë në qytetin Manbixh është një hap i rëndësishëm në forcimin e sovranitetit të qeverisë legjitime të Sirisë në të gjithë territorin e këtij vendi dhe një hap i ri drejt zgjidhjes së krizës në Siri”.
Vlen të theksohet se komanda e përgjithshme e ushtrisë së Sirisë ditën e premte ka njoftuar për hyrjen e forcave të Sirisë në qytetin Manbixh dhe ngritjen e flamurit kombëtar të Sirisë mbi ndërtesat e pushtetit lokal në këtë qytet.