Ndërtimi i raketave, vetëm një shembull i zhvillimeve të Iranit
Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhamed Xhavad Zarif tha të hënën se Irani nuk është i varur nga të tjerët në asnjë fushë dhe se ndërtimi i raketave është vetëm një shembull i zhvillimeve të arritura nga Republika Islamike e Iranit.
Zarif e bëri këtë deklaratë duke folur gjatë një konference mbi zhvillimet rajonale dhe ndikimet e tyre mbi sigurinë e Iranit në kolegjin e stafit të ushtrisë iraniane. Pjesëmarrja masive e popullit iranian në tubimet mbarëkombëtare për të përkujtuar përvjetorin e 40-të të fitores së Revolucionit Islamik më 11 shkurt, pavarësisht nga të gjitha problemet ekonomike, tregoi se iranianët janë duke mbështetur Revolucionin Islamik të vitit 1979, tha Zarif. "Trump ka poshtëruar vazhdimisht vendet e rajonit duke thënë se siguria e tyre i detyrohet pranisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendi ynë ka krijuar siguri të jashtëzakonshme në rajon pa varësi ndaj të tjerëve dhe duke u mbështetur vetëm në kapacitetet e brendshme", shtoi ministri i Jashtëm iranian. Ai tha se Irani nuk varet nga të tjerët në asnjë fushë dhe për këtë arsye, as nuk pranon dominimin e të tjerëve dhe as kërkon dominim mbi të tjerët. "Arsyeja e zemërimit të SHBA-ve dhe disa vendeve të tjera perëndimore është se ne ndërtojmë raketa me mbështetjen e ekspertëve tanë vendas dhe nuk varemi prej tyre," shtoi Zarif.