Irani hedh poshtë pretendimet e Ligës Arabe
Irani ka marrëdhënie vëllazërore dhe të ngushta me shumë shtete arabe mbi një numër çështjesh të botës muslimane dhe ndan shqetësimet dhe interesat me ta, dhe kështu po ndjek të gjitha çështjet dhe zhvillimet e vendeve arabe, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
"Përveç fjalimeve të mbajtura nga disa kryetarë të shteteve, të cilët për fat të keq ende po mbajnë qëndrime joproduktive dhe armiqësore ndaj Iranit dhe bënë pretendime të pabaza ndaj vendit tonë, qasja e përgjithshme e takimit të Ligës Arabe ishte më pozitive se ato të mëparshmet", tha z. Bahram Kasemi. "Ne e shohim ndryshimin si rezultat i menaxhimit inteligjent dhe konstruktiv të vendit pritës, Tunizisë", tha ai. "Megjithëkëtë, ne kundërshtojmë fuqimisht pretendimet e pavërteta dhe të pabaza se Irani po ndërhyn në çështjet e vendeve arabe, si dhe pretendimet mbi tre ishujt iranianë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Politika kryesore e Iranit është e bazuar në mosndërhyrjen në çështjet e brendshme të fqinjëve, tha ai, duke shtuar se tre ishujt iranianë në Gjirin Persik janë pjesë e pandashme e territorit dhe sovranitetit të Iranit. 'Përsëritja e pretendimeve nuk do të ketë efektin më të vogël në statusin ligjor të tre ishujve', pohoi ai. Duke iu referuar mbështetjes së Lidhjes Arabe për sovranitetin sirian mbi lartësitë e pushtuara të Golanit, zëdhënësi e përshkroi atë një lëvizje pozitive dhe premtuese, por të pamjaftueshme përballë kërkesave të tepruara të presidentit të SHBA dhe regjimit sionist të Izraelit.