SHBA do të pendohet për veprimin ndaj Gardës Revolucionare të Iranit
Zëvendëskomandanti i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) e përshkroi si një "marrëzi" vendimin e Trump për të vendosur Gardën Revolucionare në listën e zezë të organizatave terroriste.
Gjeneral Husein Selami tha se Shtetet e Bashkuara janë në vetvete një sponsor i rëndësishëm i terrorizmit dhe se gjithmonë kanë mbështetur barbarizmin kudo, duke pretenduar se duan të përhapin demokracinë në botë. Gjeneral Selami tha se Irani ka qenë një viktimë e terrorizmit që nga fitorja e Revolucionit Islamik në vitin 1979, duke shtuar se caktimi i Gardës Revolucionare si organizatë terroriste duhet të shihet si një "vendim i pamenduar". Zëvendëskomandanti i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit theksoi se SHBA së shpejti do të pendohet për këtë veprim. Ai i bëri këto deklarata gjatë një vizite në zonat e përmbytura të provincës Khuzestan në jugperëndim të Iranit, ku Garda Revolucionare dhe Ushtria iraniane po vazhdojnë të ndihmojnë banorët e qyteteve dhe fshatrave të prekur nga përmbytjet.