Sanksionet amerikane tregojnë zemërimin dhe dëshpërimin e Uashingtonit
Kryekomandanti i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit deklaroi se sanksionet e fundit të SHBA kundër komandantëve të lartë të forcës ushtarake elitare iraniane janë shenjë e dëshpërimit dhe zhgënjimit të Uashingtonit përballë fuqisë së Republikës Islamike.
Gjeneralmajor Husein Selami tha se sanksionet e SHBA që pasuan rrëzimin e një droni të avancuar spiun amerikan që fluturonte në hapësirën ajrore të Iranit, ishin tregues i dëshpërimit, zhgënjimit dhe zemërimit të Uashingtonit përballë fuqisë dhe madhështisë së Iranit. Selami tha se vendosja e sanksioneve nga SHBA ishte "një praktikë e shfrenuar, joefektive dhe e pavlerë". Ai tha se sanksionet kundër Gardës Revolucionare dhe komandantëve të saj që kanë neutralizuar strategjitë dhe politikat agresive amerikane nuk ishin asgjë e re, duke përsëritur se kjo do të rezultojë vetëm në forcimin e vendosmërisë së Gardës Revolucionare për të mbrojtur sistemin islamik dhe për të mbrojtur kombin iranian përballë çdo kërcënimi nga agresorët kundër territorit të vendit. Kryekomandanti i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit paralajmëroi se në të ardhmen armiqtë do të shohin pasojat e veprimeve të tyre " armiqësore dhe keqdashëse " kundër Republikës Islamike.