Hakmarrja e ashpër e Gardës Revolucionare të Iranit
Forcat e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit kanë organizuar një ofensivë të gjerë kundër pozicioneve të terroristëve përgjatë kufirit iranian me rajonin gjysmë autonom të Kurdistanit të Irakut, duke shkaktuar humbje të mëdha në radhët e terroristëve.
Garda Revolucionare, në një deklaratë të publikuar të premten pasdite, njoftoi se që nga e mërkura ka goditur fortesat dhe pozicionet e "grupeve terroriste kundër-revolucionare të sponsorizuara nga arroganca globale" në rajonin kurd të Irakut. Sulmet u zhvilluan pasi autoritetet e Rajonit të Kurdistanit irakian nuk u kushtuan vëmendje paralajmërimeve të mëhershme të Gardës Revolucionare se grupet terroriste po përdorin zonat kufitare për të trajnuar, organizuar dhe dërguar ekipet e terroristëve në Iran. Deklarata shtoi se sulmet hakmarrëse erdhën pas një sulmi të fundit vdekjeprurës terrorist kundër anëtarëve të Gardës Revolucionare si dhe pas "përpjekjeve të dëshpëruara" nga terroristët për të minuar sigurinë në disa rajone perëndimore dhe veriperëndimore të Iranit. "Raketat, dronët dhe njësitë e artilerisë qëlluan dhe shkatërruan bazat e grupeve terroriste dhe qendrat e trajnimit gjatë operacionit dhe një numër i madh terroristësh u vranë dhe u plagosën", shtoi deklarata. Njësia tokësore e Gardës Revolucionare përdori dronët "Mohajer M-6" të pajisur me bombat "Kaem" për të shkatërruar pozicionet terroriste në rajonin e Kurdistanit të Irakut. Në videon e publikuar nga Garda Revolucionare e Iranit, shihet përdorimi i artilerisë raketore me predha HM 41, të kalibrit 155 mm, për të sulmuar objektet e terroristëve. Në një pjesë tjetër të kësaj videoje, shohim se predhat artilerike të drejtuara me lazer goditën me saktësi pozicionet e terroristëve. Komandantët e lartë të forcave tokësore të ushtrisë dhe të Gardës Revolucionare, si dhe komandantët e tjerë të forcave të armatosura të Iranit, kishin folur tashmë për "aftësitë dhe saktësinë e lartë të artilerisë iraniane dhe përdorimin e pajisjeve të kontrolluara gjatë ushtrimeve të ndryshme të forcave të armatosura. "Strategjitë bazohen në çdo bombë ose raketë për një objektiv, dhe ne shohim sot se topat tanë përdorin me predha me precizion me lazer të tipit Krasnopol dhe po lëvizim drejt të njëjtës doktrinë: një top, bombë ose raketë për një objektiv",tha gjeneral brigade Muhamed Pakpur, komandant i forcave tokësore të Gardës Revolucionare. Përdorimi i predhave të udhëhequra me lazer nga artileria jo vetëm që mund të parandalojë humbjen e kohës, shpenzimeve dhe shkarkimin e shumë predhave për të shkatërruar një objektiv, por shërben edhe për të rritur aftësitë taktike dhe luftarake të forcave të armatosura.