Zarif: Askush të mos dyshojë në vendosmërinë tonë për tu mbrojtur
Ndërsa paralajmëroi kundër një sulmi potencial ushtarak ndaj Iranit, Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif tha se ithtarët e luftës rreth presidentit amerikan Donald Trump nuk do të kenë sukses në mundësimin e një veprimi të tillë kundër Republikës Islamike.
"Njerëzit e dinë se Irani është një vend i madh, krenar ... Ne nuk do ta marrim lehtë një sulm ushtarak, askush të mos ketë dyshim në vendosmërinë tonë për tu mbrojtur" tha të hënën Zarif për NBC News. Ai, megjithatë, tha se nuk mendonte se Trump po kërkonte një luftë të tillë, duke akuzuar për qëllime të tilla keqdashëse "njerëzit që janë rreth tij (Trump) të cilët nuk shqetësohen për pasojat e luftës". "Por unë nuk mendoj se ata do të kenë sukses, sepse në fund mendoj se do të mbizotërojë maturia", deklaroi diplomati më i lartë iranian. Ai ndërkohë tha se dera është "e hapur" ndaj diplomacisë nëse Trump heq sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke përsëritur pohimin e Teheranit se hyrja në negociata nën presion është e barabartë me poshtërimin. Zarif gjithashtu kujtoi se ishte SHBA, dhe jo Irani, ai që kompromentoi rrugët diplomatike duke braktisur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 me Republikën Islamike dhe me disa vende të tjera. "Ishin Shtetet e Bashkuara që lanë tryezën e bisedimeve dhe ata janë gjithmonë të mirëpritur të rikthehen", tha Zarif.