Zarif: Aventurizmi modern i SHBA kërcënon paqen globale
Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për atë që ai e ka quajtur si "vala moderne e aventurizmit", duke thënë se kjo politikë është një kërcënim serioz për paqen globale.
Duke folur në një takim të diplomatëve të lartë nga Lëvizja e grupit NAM në Karakas të Venezuelës, të shtunën, Zarif tha se vala moderne e aventurizmit ekstremist e Uashingtonit dhe politika e njëanshme e tij është sfida më e rëndësishme me të cilën pothuajse të gjitha vendet në mbarë botën po përballen në një mënyrë apo tjetër. Zarif i bëri vërejtjet duke iu referuar qartë sanksioneve të ashpra ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara për vendet si Irani dhe Venezuela gjatë muajve të fundit. Vendet eksportuese të naftës kanë qenë të privuar nga shumica e të ardhurave të tyre normale, ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump vazhdon të shtyjë blerësit në mbarë botën për të ulur importet e tyre të naftës së papërpunuar nga këto dy shtete, për ta çuar eksportin e tyre në nivelin zero. Bashkë me masat ndëshkuese ekonomike kundër vendeve si Kina dhe Rusia dhe të tjerëve në Bashkimin Europian, sanksionet kanë përfaqësuar një prirje në rritje drejt unilateralizmit në Shtëpinë e Bardhë duke shkaktuar kritika masive në mbarë botën. Zarif tha se një politikë e tillë unilaterale dhe proteksioniste ndaj çështjeve ndërkombëtare ka paraqitur një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin global. Zarif përmendi një vendim nga Trump në maj të vitit të kaluar për t'u tërhequr nga marrëveshja e vitit 2015 mbi aktivitetet bërthamore të Iranit si një shembull kryesor i shkeljes së të drejtave ndërkombëtare nga Uashingtoni. Në këtë proces Amerika jo vetëm që ka shkelur rezolutën përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB, por gjithashtu ka sanksionuar me ironi ata që përpiqen të respektojnë atë", shtoi në fjalën e tij shefi i diplomacisë iraniane.