Larixhani: Britania nuk kishte rrugë tjetër, veç dhënies fund të piraterisë detare
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larixhani deklaroi se vendimi i Gjibraltarit për lirimin e supertankerit iranian Grace 1 tregon se Britania u detyrua të tërhiqej nga pirateria detare.
Larixhani i bëri deklaratat të shtunën ndërsa iu drejtua një seance të hapur të parlamentit, pasi qeveria e Gjibraltarit njoftoi të enjten se liroi supertankerin e sekuestruar nga marinsat britanikë në ngushticën e Gjibraltarit. Duke pasur parasysh rezistencën e kombit iranian gjatë ditëve të kaluara, zyrtarët britanikë e kuptuan se situata e tanishme e Republikës Islamike nuk është si në të kaluarën kur ata e shantazhonin Iranin përmes komploteve, shtoi kryeparlamentari iranian. Ata u detyruan të tërhiqeshin nga "pirateria e tyre detare", tha Larixhani. Forcat detare të Britanisë kapën në mënyrë të paligjshme cisternën Grace 1 dhe ngarkesën e saj prej 2.1 milion fuçi nafte në ngushticën e Gjibraltarit më 4 korrik me pretekstin se supertankeri ishte dyshuar se transportonte naftë në Siri në shkelje të sanksioneve të njëanshme të Bashkimit Evropian kundër Damaskut. Duke pasur parasysh këtë imponim të parregullt të rregulloreve të BE-së mbi një vend jo anëtar të BE-së, ky veprim u dënua me forcë nga Teherani si një veprim i "piraterisë detare" të bërë me kërkesën e Uashingtonit.