Rabi'i: Zotim përball zotimit, strategjia e Iranit në marrëveshjen bërthamore
Zëdhënësi i qeverisë së Republikës Islamike të Iranit duke thënë se zotimi përball zotimit është strategjia e Iranit në marrëveshjen bërthamore, deklaroi se në rast të zbatimit të zotimeve të Evropës në kuadër të marrëveshjes bërthamore, Irani do të kthehet në zbatimin e plotë të zotimeve të veta.
Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se Ali Rabi'i, zëdhënësi i qeverisë së Iranit, ditën e hënë në konferencën javore për shtyp, ka thënë se janë duke u shqyrtuar çështjet teknike për zbatimin e zotimeve të Evropës në kuadër të marrëveshjes bërthamore ndërsa shtoi: "Vizita e Sejed Abas Erakçi, zv/ministrit të jashtëm iranian së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Naftës dhe Bankës Qendrore të Iranit në Paris, është në kuadër të vazhdimit të metodës për zbatimin e zotimeve të palëve evropiane".
Rabi'i theksoi: "Nafta e Iranit duhet të blihet dhe duhet marrë masa të sigurta që paratë e saj të jenë në qasje të plotë të Iranit dhe të kthehen në Iran".
"Qëllimi final i hapit të tretë për reduktimin e zotimeve të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore është zbatimi i plotë i zotimeve të të gjitha palëve të kësaj marrëveshje. Republika Islamike e Iranit deri më tani ka vepruar në bazë të paragrafit 26 dhe paragrafit 36 të kësaj marrëveshje për reduktimin e zotimeve të veta duke deklaruar një gjë të tillë në mënyrë zyrtare. Duhet të krijohet një balancim mes palëve të marrëveshjes bërthamore dhe nëse pala evropiane nuk është e interesuar ose nuk zbaton zotimet e veta, atëherë Teherani do të marrë edhe hapin e tretë në këtë drejtim", theksoi ndër të tjera zëdhënësi i qeverisë së Republikës Islamike të Iranit.