Irani liron shtatë persona të ekipit të anijes së kapur britanike
Irani ka thënë se do të lirojë shtatë anëtarë që kishte ndaluar pasi kishte kapur një transportuese britanike, gati dy muaj më parë.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Sejed Abas Musavi ka thënë, më 4 shtator në një intervistë për televizionin shtetëror iranian se shtatë persona me kombësi ruse dhe indiane do të lirohen dhe mund të largohen nga shteti iranian shumë shpejt.
Ai ka shtuar se të shtatë personat janë zgjedhur nga kapiteni i anijes.
Të 16 pjesëtarët tjerë kanë thënë se do të jenë në anije, kur ajo të largohet nga ujërat e Iranit.
“Ne jemi shumë të lumtur se shtatë anëtarët e ekipit do të lirohen shpejt dhe mund të kthehen në familjet e tyre, ndonëse ne ende po presim konfirmimin e datës së lirimit të tyre”, ka thënë, Eris Hanell, presidenti i kompanisë Stena Bulk, që ka në pronësi anijen.