Hapi i tretë i reduktimit të zotimeve të Iranit dhe reagimet ndërkombëtare
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i90762-hapi_i_tretë_i_reduktimit_të_zotimeve_të_iranit_dhe_reagimet_ndërkombëtare
Si një hap i tretë në reduktimin e zotimeve të Iranit nën marrëveshjen bërthamore, Organizata e Energjisë Atomike të Iranit njoftoi se ka aktivizuar 20 centrifuga IR-4 dhe 20 centrifuga IR-6 për qëllime kërkimi dhe zhvillimi.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 08, 2019 03:40 Europe/Tirane
  • Hapi i tretë i reduktimit të zotimeve të Iranit dhe reagimet ndërkombëtare

Si një hap i tretë në reduktimin e zotimeve të Iranit nën marrëveshjen bërthamore, Organizata e Energjisë Atomike të Iranit njoftoi se ka aktivizuar 20 centrifuga IR-4 dhe 20 centrifuga IR-6 për qëllime kërkimi dhe zhvillimi.

Presidenti iranian Hasan Ruhani tha të mërkurën se Irani do të zgjerojë kërkimin dhe zhvillimin e tij bërthamor që nga 6 shtatori, duke lënë mënjanë kufizimet e vendosura në marrëveshjen bërthamore për kërkimin dhe zhvillimin e sektorit të energjisë bërthamore të Iranit. Hapi i tretë vjen pasi evropianët nuk arritën të shfrytëzojnë një afat 60-ditor për të përmbushur kërkesat e Iranit dhe për të përmbushur angazhimet e tyre në bazë të marrëveshjes shumëpalëshe. Irani thotë se masat e tij hakmarrëse do të jenë të kthyeshme sapo Evropa të gjejë mënyra praktike për të mbrojtur tregtinë e ndërsjellë nga sanksionet e SHBA-së, të cilat u vendosën përsëri vitin e kaluar kur Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore. Ky veprim i Iranit është pasuar me reagime të ndryshme në botë. Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike deklaroi se ka dërguar inspektorët në terren në Iran të cilët do të jenë në gjendje të vëzhgojnë lëvizjen e Teheranit për të aktivizuar centrifugat e përparuara për të rritur rezervat e uraniumit të vendit. Agjensia bërthamore e Kombeve të Bashkuara tha për Associated Press të shtunën se ishte në dijeni të raporteve "në lidhje me kërkimin dhe zhvillimin e centrifugave të Iranit". ANEA shtoi se "inspektorët e saj janë në terren në Iran dhe ata do të raportojnë çdo veprimtari të rëndësishme në selinë e ANEA." Ndërkohë, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në ANEA Mikhail Ulyanov tha se vendimi i fundit i Iranit për të aktivizuar centrifugat e tij të përparuara "nuk duhet të dramatizohet", duke theksuar se duhet të rivendoset ekuilibri brenda marrëveshjes bërthamore të Iranit. Ai shtoi se ky veprim i Iranit nuk është "kërcënim " por "vetëm një sinjal i fortë që ekuilibri brenda marrëveshjes bërthamore duhet të rikthehet". Britania gjithashtu deklaroi të shtunën se njoftimi i Iranit për aktivizimin e centrifugave të përparuara ishte "veçanërisht zhgënjyes". Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly tha të shtunën se Parisi do të vazhdojë përpjekjet për ta kthyer Iranin në përputhje të plotë me marrëveshjen bërthamore. Ndërkohë, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit tha se Irani ka filluar të përdorë centrifuga të përparuara IR-6 për të rritur rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, duke paralajmëruar nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që koha që ata të shpëtojnë marrëveshjen historike përballë presionit nga Shtetet e Bashkuara po kalon.