Feruta: ANEA vazhdon bashkëpunimin me Iranin
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) ka konfirmuar se Irani po instalon centrifuga të përparuara pasi paralajmëroi nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore se koha që ata të shpëtojnë këtë marrëveshje po mbaron.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, agjensia bërthamore e Kombeve të Bashkuara tha se ka "verifikuar se centrifugat e mëposhtme ishin instaluar ose janë duke u instaluar ... 22 IR-4, një IR-5, 30 IR-6 dhe 3 IR-6s ". Të hënën, ushtruesi i detyrës së shefit të ANEA i bëri thirrje Iranit "tu përgjigjet menjëherë" pyetjeve të agjencisë në lidhje me programin bërthamor të Teheranit. Cornel Feruta i bëri këto deklarata ndërsa foli në takimin tremujor të Bordit të Guvernatorëve të ANEA një ditë pasi takoi zyrtarë të lartë iranianë në Teheran. Feruta shtoi: "Agjencia vazhdon të verifikojë dhe monitorojë angazhimet bërthamore të Iranit në lidhje me marrëveshjen bërthamore... Agjencia vazhdon të verifikojë mosdevijimin e materialit bërthamor të deklaruar nga Irani në bazë të Marrëveshjes së sigurisë. Vlerësimet në lidhje me mungesën e materialit bërthamor të padeklaruar dhe aktiviteteve në Iran vazhdojnë. " Ai i përfundoi deklaratat e tij për Iranin duke thënë: "Puna e Agjencisë në lidhje me verifikimin bërthamor është gjithmonë në përputhje me mandatin tonë dhe praktikën e vendosur mbi masat mbrojtëse. Bashkëpunimi ynë me Iranin është i pavarur, i paanshëm, faktik dhe profesional".