Irani dënon planin e Netanjahut për aneksimin e Bregut Perëndimor
Irani theksoi se kryeministri izraelit kërkon të qëndrojë në pushtet përmes akuzave kundër Iranit dhe aneksimit të territoreve palestineze, pasi Benjamin Netanjahu tha se nëse rizgjidhet, ai do të aneksojë Luginën Jordan në Bregun Perëndimor.
"Netanjahu kërkon vota që të qëndrojë në pushtet dhe të vazhdojë me politika ekspansioniste dhe agresione, një ditë përmes akuzave kundër Republikës Islamike të Iranit dhe një ditë duke njoftuar qëllimin e tij keqdashës për të aneksuar pjesë të caktuara të Palestinës", tha të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abas Musavi. Musavi tha se disa vende arabe që pretendojnë udhëheqjen e botës arabe dhe që janë të zënë me çështje të tjera si agresioni i tyre ushtarak kundër Jemenit dhe lidhjet e tyre të ngrohta me Izraelin, i kanë ofruar regjimit të Tel Avivit një mundësi për të zbuluar qëllimet e tij ekspansioniste. Ai shtoi se Irani mirëpret çdo përpjekje kolektive nga vendet muslimane për të organizuar një takim urgjent të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.