Zëvendësimi i zyrtarëve amerikanë nuk do të ndryshojë perceptimin e Iranit
Zyrtari i lartë i Iranit për sigurinë tha se riorganizimi i zyrtarëve amerikanë nuk do të ndryshojë perceptimin e Iranit për natyrën e politikave të Uashingtonit.
"Armiqësia historike dhe me rrënjë të thella e qeverisë amerikane ndaj kombit iranian është diçka përtej roleve që luajnë zyrtarët," tha të mërkurën Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Shamkhani. Shamkhani përsëriti më tej se kriteri kryesor i vlerësimit të Iranit është politika dhe funksioni i qeverisë amerikane, veçanërisht në drejtim të përkushtimit ndaj detyrimeve ndërkombëtare dhe heqjes së sanksioneve kundër Iranit. "Armiqtë e kombit iranian nuk duhet të harrojnë se zgjerimi i paparë i fuqisë rajonale të Republikës Islamike dhe rrëzimi i dronit modern të SHBA në Gjirin Persik ndodhi saktësisht gjatë periudhës që ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA John Bolton vazhdimisht kërcënonte Iranin. Kjo tregon qartë se politikat strategjike të Iranit nuk ndikohen nga qasjet armiqësore të figurave si Bolton", tha Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Ndërkohë, Presidenti i Iranit Hasan Ruhani tha se SHBA duhet të distancohet nga "luftënxitësit". "Amerikanët duhet ta kuptojnë se luftënxitja dhe luftënxitësit nuk janë në dobi të tyre," tha Ruhani të mërkurën. "Ata duhet të braktisin jo vetëm luftënxitësit, por edhe politikën e tyre të presionit maksimal."