Teherani: SHBA të mos akuzojë Iranin, nuk ka takim Trump-Ruhani
Teherani ka hedhur poshtë edhe një herë pretendimet e Uashingtonit për rolin e Iranit në sulmin e Jemenit mbi impiantet e naftës të kompanisë saudite Aramco duke i vlerësuar ato si "mashtrim maksimal" për të fshehur dështimin e plotë të fushatës amerikane të "presionit maksimal" kundër Republikës Islamike.
"Të akuzosh Iranin për një veprim të tillë është në përputhje me qasjen e mashtrimit maksimal që amerikanët kanë adoptuar pas dështimeve të tyre," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Abas Musavi gjatë një konference për shtyp të hënën. Musavi tha se ndërsa Irani mbështet popullin e Jemenit dhe të drejtat e tij, akuza të tilla nuk kanë ndonjë peshë dhe shtoi se jemenasit nuk do të qëndrojnë duarkryq, ndërsa Arabia Saudite vazhdon të shkatërrojë vendin e tyre. "Jemeni ka qenë duke luftuar një luftë të përgjakshme dhe koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka kryer mizori të shumta kundër kombit jemenas me mbështetje të plotë nga vendet perëndimore," tha ai duke shtuar: "Është e natyrshme që jemenasit dhe ushtria e tyre reagojnë ndaj këtyre mizorive." Musavi argumentoi se pretendime të tilla kanë për qëllim që Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe të rajonit të varen më tej nga Shtetet e Bashkuara. "Regjimet e varura mbeten të varura dhe ata që supozohet se i mjelin këto regjime, bëjnë deklarata të tilla të pabaza për t'u dhënë këtyre regjimeve të varura një ndjenjë sigurie", tha diplomati iranian. Musavi të hënën e bëri të qartë se Presidenti Hasan Ruhani nuk kishte në plan të takohej me Trump gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. "As ky takim nuk është në axhendën tonë, as nuk mendoj se do të kjo ndodhë në New York," tha ai. "Siç theksoi z. Ruhani, ne nuk takohemi vetëm për foto dhe çdo takim duhet të ketë një axhendë të caktuar dhe rezultate që janë të prekshme."