SHBA nuk lejon Zarif të vizitojë kolegun e tij në spital!
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë një kërkesë të Ministrit të Jashtëm të Iranit, Muhamed Xhavad Zarif për të vizituar Ambasadorin e Iranit në Kombet e Bashkuara Maxhid Takht-Ravanchi, i cili po kurohet për kancer në një spital në New York.
Departamenti Amerikan i Shtetit e bëri njoftimin të Premten, duke shtuar se Zarif mund të vizitojë kolegun e tij të sëmurë vetëm nëse Teherani liron një nga disa qytetarë amerikanë të ndaluar në Iran. Për shkak të sanksioneve amerikane dhe kufizimeve të udhëtimit të vendosura ndaj zotit Zarif në korrik, ministri i Jashtëm iranian mund të udhëtojë vetëm midis aeroportit John F. Kennedy dhe një zone të kufizuar përreth ndërtesës së OKB në New York. Irani në shumë raste ka ofruar të negociojë një shkëmbim të burgosurish në mënyrë që të lirojë iranianët e ndaluar në SHBA. Masud Soleimani, një shkencëtar i qelizave gjenetike i cili është mbajtur i burgosur në Shtetet e Bashkuara pa gjyq për gati një vit, është ndër individët iranianë të arrestuar në Amerikë. Edhe ai po vuan nga një gjendje e përkeqësuar shëndetësore.